
Ministranti është i thirrur të shërbejë në famullinë e vet, dhe atë me një detyrë të caktuar, siç e tregon vetë fjala. Fjala latine ministrare do të thotë shërbim. Ministranti është pjesë e shërbesës së shenjtë, kurse shërbesa e shenjtë është një kremtim i veçantë në nder të Hyjit. Të jesh kaq afër Hyjit nuk është vetëm nder i madh, por edhe më shumë përgjegjësi. Të gjithë njerëzit e mëdhenj në historinë e shëlbimit, profetët dhe shenjtorët, detyrën e tyre e kanë kuptuar pikërisht si një shërbim të madh.
