Vajimi i të sëmurëve

Mes shtatë sakramenteve, që na janë dhënë si mjete në rrugën tonë drejt shpëtimit, gjendet edhe sakramenti që e quajmë vajimi i të sëmurëve.


Së bashku me rrëfimin e shenjtë, ky sakrament radhitet ndër sakramentet e shërimit. Me të, Kisha shpreh kujdesin edhe për anëtarët e vet që vuajnë, duke u treguar se nuk i harron, por mendon për ta, i ndihmon dhe lutet për ta, duke ua rekomanduar Zotit Jezu Krisht që t'i shpëtojë — atij që i merr mbi vete vuajtjet tona dhe vuan vetë. „Ai i mori mbi vete dobësitë tona dhe i barti sëmundjet tona.” (Mateu 8,17) Jezusi gjithmonë pati mirëkuptim për të sëmurët e për të pafuqishmit. Ai ndien bashkë me ta dhe shërimet e shumta dëshmojnë për fuqinë e tij hyjnore. Ai është „Hyji që e udhëhoqi popullin e vet“, dhe kjo është shenjë se Mbretëria e Hyjit ishte afër.

Në ungjillin sipas Markut lexojmë se si Jezusi, mjeku hyjnor i shpirtit e i trupit, i dërgoi në botë nxënësit e vet, apostujt, me këtë porosi të qartë: „Shëroni të sëmurët!“ (Mateu 10,8) Atë që e morën prej Hyjit, ata ua rekomanduan e ua shpallën besimtarëve përmes apostullit Jakob: „A është i sëmurë ndokush ndër ju? Le t'i thërrasë presbiterët e Kishës e ata le të luten mbi të, duke e vajuar me vaj në emër të Zotit. Lutja e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ngrejë; e nëse ka bërë mëkate, do t'i falen.“ (Jak 5, 14-15). Pra, Kisha apostolike e ka ritin e vajimit, në të cilin Tradita njohu një nga sakramentet që jepej për t'i dhënë hire të krishterit që po kalonte mundimin e lidhur me një sëmundje të rëndë ose me pleqërinë.

Rekomandohet që vajimi i të sëmurëve t'i jepet një personi që është në vetëdije. Para se ta marrë këtë sakrament, personi duhet të rrëfehet. Atyre që nuk munden, sepse për shembull nuk janë në vetëdije, ky sakrament ua fal mëkatet. Është me vend të jepet gjatë eukaristisë, por mund të jepet edhe veçmas, vetëm për një të sëmurë ose për disa të pafuqishëm.

Kremtimi i këtij sakramenti i ka këto pjesë kryesore: vënien e duarve, lutjen në fenë e Kishës dhe vajimin me vajin e shenjtë që e ka bekuar ipeshkvi të Enjten e Madhe. I sëmuri vajoset me vaj në ballë e në duar (sipas ritit romak) ose në pjesë të tjera të trupit (në Lindje), ndërsa shqiptohen njëherë këto fjalë: „Me këtë vajim të shenjtë dhe me mëshirën e tij të butë, të bekoftë Zoti; hiri i Shpirtit Shenjt të ndihmoftë, që, i çliruar nga mëkati, të shëlbojë e ta ngrejë me mëshirë.“

Frytet e hirit të veçantë të sakramentit të vajimit të të sëmurëve janë:

  • I sëmuri bashkohet me Mundimin e Krishtit për të mirën e vet dhe të Kishës;

  • Merr përkrahje, paqe dhe guxim për t'i duruar në mënyrë të krishterë vështirësitë e sëmundjes ose të pleqërisë;

  • Merr faljen e mëkateve, nëse nuk ka mundur ta marrë atë në sakramentin e rrëfimit;

  • Merr shëndetin, nëse kjo i shërben shpëtimit shpirtëror;

  • E përgatit të sëmurin për kalimin në jetën e pasosur.