
Grupi vokal-instrumental — bendi „Agape“ — u themelua në maj të vitit 2015 nga kapelani i atëhershëm, dom Jošt Mezeg. Ai përbëhet nga dhjetë të rinj që duan ta lëvdojnë Hyjin me këngë. Prej instrumenteve përdoren: kitara, saksofoni, flauti, pianoja dhe daullja. Bendi Agape u paraqit për herë të parë në kremtimin e patronit të katedrales dhe në meshën e artë të imzot Antun Ćirimotić në vitin 2015. Njëkohësisht, bendi animon këngën e meshëve kur në famullinë tonë kremtohet Dita e kushtimit të shën Nënë Terezës, më pesë të çdo muaji, merr pjesë në realizimin e koncerteve të Krishtlindjes nëpër Maqedoni, si edhe në ngjarje kulturore e në promovime librash, dhe kontribuon në programin muzikor të Radio Maria Maqedoni. Bendi animoi këngën e vigjiljes me rastin e kremtimit kombëtar „Ditët e shën Nënë Terezës“ në Shkup, në nder të kanonizimit të saj, më 10 shtator 2016.

Bendi u paraqit edhe në takimin ekumenik e ndërfetar të papës Françesku me të rinjtë, që u mbajt gjatë vizitës së tij apostolike në Maqedoni më 7 maj 2019.
Anëtarët e bendit kanë kompozuar këngën e njohur të shën Nënë Terezës „Falja“, të cilën ajo e shkroi ndërsa po e linte Shkupin për të shkuar në mision, himnin e bendit me titull „Agape“ dhe pjesë të Meshës në gjuhën maqedonase.