Fokolarët

Кјара

Më 7 dhjetor 1943, në Trento (Itali), lindi Lëvizja e Fokolarëve. Themeluesja e saj, Chiara Lubich, ishte njëzet e tre vjeç kur atë ditë iu kushtua Hyjit. Atëherë ajo ishte e vetme. Ishte e pamundur të përfytyroje se çfarë frytesh do të jepte ai kurorëzim me Hyjin. Sot miliona njerëz të moshave të ndryshme, pjesëtarë të grupeve shoqërore, gjuhëve, racave e bindjeve të ndryshme, në 182 shtete të botës, përpiqen me vetëmohim të ndërtojnë një vëllazëri të re dhe të kontribuojnë kështu në ndërtimin e njësisë në familjen njerëzore, e cila është e munduar nga dhuna, përçarjet dhe pabarazitë shoqërore e kulturore.

Spiritualiteti

Themeli i kësaj jete është dashuria e ndërsjellë e vazhdueshme, e cila e mundëson njësinë dhe praninë e Jezusit në bashkësi. Spiritualiteti është i rrënjosur thellë në Ungjill dhe mbështetet në 12 pika kyçe:

  • Hyji është dashuri — Atij t'i jepet vendi i parë;

  • Të pranohet vullneti i Hyjit;

  • Të duhen të afërmit;

  • Të duhemi ndërmjet vete, ashtu siç na do Jezusi secilin prej nesh;

  • Të jemi një, ashtu siç është Trinia e Tërëshenjtë;

  • Të jetojmë për praninë e vazhdueshme të Krishtit në bashkësi;

  • Të ecim drejt njësisë nëpër rrugën e britmës së Jezusit të braktisur nga Ati mbi kryq;

  • Ta shkruajmë Ungjillin me jetën tonë;

  • Të jemi një me trupin e Krishtit në Eukaristinë e Tërëshenjtë;

  • Ta ndjekim rrugën e Marisë, të krishteres së parë;

  • Të jemi kudo Kishë e gjallë;

  • Të jetojmë në atmosferën hyjnore të Shpirtit Shenjt dhe ta dëgjojmë vazhdimisht zërin e Tij.

Struktura e bashkësisë

Edhe pse të gjithë e jetojnë të njëjtin spiritualitet, për shkak të larmisë së personave që e përbëjnë — të rinj, të rritur, fëmijë, familje e priftërinj, murgj e murgesha, madje edhe ipeshkvij — Lëvizja është e ndarë në 27 degë, mes të cilave edhe disa lëvizje me një spektër të gjerë veprimi:

  • fusha të ndryshme të shoqërisë, përmes lëvizjes së Njerëzimit të Ri, e cila angazhohet konkretisht ta fusë frymën e dashurisë në të gjitha poret e shoqërisë;

  • bota e familjeve, me lëvizjen e Familjeve të Reja, e cila me jetën e me veprimtaritë e veta përpiqet t'u përgjigjet goditjeve e traumave që e godasin këtë qelizë themelore të shoqërisë;

  • të rinjtë dhe fëmijët, me lëvizjen e Të rinjve për një botë të bashkuar dhe të Fëmijëve për njësinë, të cilat u propozojnë të rinjve një jetë rrënjësore sipas Ungjillit si përgjigje ndaj synimeve të tyre më të thella;

  • bota e Kishës, me lëvizjen e Priftërinjve, lëvizjen e Famullive dhe lëvizjen e Bashkësive rregulltare, të cilat, përmes thirrjes së tyre, i ftojnë ata të japin kontributin e vet për njësinë, për të cilën Jezusi u lut para vdekjes së vet: „Të gjithë të jenë një“;

  • politika, përmes Lëvizjes për njësinë.

Në qendër të Lëvizjes janë fokolarët (bashkësi grash e burrash), bashkësi të vogla me një stil të ri, të përbëra nga laikë që janë dhuruar tërësisht Hyjit. Atyre u përkasin edhe laikët e kurorëzuar, të cilët janë po ashtu të kushtuar Hyjit në pajtim me thirrjen e tyre.

Bashkësia në famullinë tonë

Bashkësia e Fokolarëve (Vepra e Marisë) në famullinë tonë mblidhet në takimet Fjala e jetës. Anëtarët e bashkësisë organizojnë herë pas here takime të hapura — veçanërisht për Krishtlindje, për familjet me fëmijë. Disa herë në vit merret pjesë në programe shpirtërore në Qendrën e Lëvizjes së Fokolarëve në Kroaci, ku mbahen edhe takime të grupmoshave të ndryshme, por edhe në Itali; si edhe në takimin vjetor „Mariapolis“, që mbahet në Maqedoni.